Kuizi "Lugina garon", aty ku sfidohen  nxënësit e Luginës
Lokale

Kuizi "Lugina garon", aty ku sfidohen nxënësit e Luginës

09.Feb.2015 10:53
0
Duke e parë si nevojë që në njëfarë forme të ndihmojë edukimin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Luginë të Preshevës, Ndërmarrja Informative Publike "RTV PRESHEVA" në Preshevë, në përfundim të vitit 2011, morri iniciativën për fillimin e mbajtjes së një kuizi të diturisë, në të cilin do të përfshiheshin ekipe nga shkollat fillore dhe të mesme të rajonit tonë. Për këtë iniciativë, përfaqësuesit e RTV Presheva, ftuan edhe RTV Spektri nga Bujanoci që së bashku të realizojnë një projekt të këtillë, e cila u pranua edhe nga ana tjetër pa asnjë hezitim.

Edhe pse, në fillim të kësaj iniciative, ekzistonte mëdyshja se sa do të jetë përkrahja e shkollave për të realizuar një projekt të këtillë, kjo gjë u tejkalua menjëherë, meqë qysh në takimin e parë, në Preshevë, të organizuar nga RTV Presheva dhe në takimin tjetër, në Bujanoc, të organizuar nga RTV Presheva dhe RTV Spektri, përgjigja e përfaqësuesve të shkollave fillore dhe të mesme, në ftesën e bërë, ishte në maksimum. 

Pas takimeve të zhvilluara në Preshevë dhe Bujanoc, në janar të vitit 2012 filluan edhe përgatitjet teknike për realizimin e kuizit të diturisë “Lugina garon 2012”, i cili do të filloj të realizohet nga shkurti e deri në qershor të vitit 2012. Kuizi është mbajtur në lokalet e "RTV PRESHEVA", respektivisht në studion televizive, ku është bërë incizimi i xhirove, ndërsa transmetimi i të njejtave është bërë në programin e "RTV PRESHEVA" si dhe në ate të "RTV SPEKTRI".

Për përgatitjen e pyetjeve, organizimin e përgjithshëm si dhe menaxhimin dhe mbarëvajtjen e kuizit është angazhuar Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva, të cilit i ndihmonte edhe prof. Xhelal Arifi, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, ndërsa jurinë profesionale do ta përbënin: prof. Alixhemal Salihu, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, prof. Agim Arifi, arsimtar i kulturës figurative në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë dhe prof. Mustafë Hasani, arsimtar i kulturës muzikore në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë. Ndërsa i tërë projekti ishte mbështetur financiarisht nga buxheti i RTV Presheva, Komuna e Preshevës si dhe disa donatorë. 

Pas përfundimit të garimit dolën edhe fituesit e këtij kuizi, ekipi i shkollës fillore “Ali Bektashi” Nasalcë, nga cikli i filloristëve, si dhe ekipi i shkollës së mesme “Presheva”, nga cikli i gjimnazistëve. Ekipet fituese të të dy cikleve, të shoqëruara nga arsimtarët udhëheqës të tyre, si dhe ekipi i RTV Presheva, ashtu edhe siç ishte paraparë, kryen ekskursionin e organizuar në Republikën e Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Fier, Krujë, Shkodër, ku vizituan monumente të rëndësishme historike dhe kulturore. 

Projekti kuizi i diturisë “Lugina garon”, pas suksesit të arritur në vitin 2012, u vazhdua edhe në vitin 2013. Edhe këtë vit për përgatitjen e pyetjeve, organizimin e përgjithshëm si dhe menaxhimin dhe mbarëvajtjen e kuizit ishte angazhuar Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva, të cilit do t’i ndihmonte edhe prof. Xhelal Arifi, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, ndërsa jurinë profesionale këtë vit do ta përbënin: prof. Alixhemal Salihu, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, prof. Refik Shaqiri, arsimtar i kulturës figurative në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Raincë dhe ars. Murtezan Bajrami, arsimtar i kulturës muzikore në shkollën fillore “Dituria” në Corroticë. 

Projekti kuizi “Lugina garon” edhe këtë vit ishte mbështetur financiarisht nga buxheti i RTV Presheva, Komuna e Preshevës si dhe disa donatorë. Pas përfundimit të garimit dolën edhe fituesit e këtij kuizi. Ekipi i shkollës fillore “Ali Bektashi” Nasalcë, ishte për herë të dytë radhazi fitues nga cikli i filloristëve, ndërsa ekipi i gjimnazit “Skenderbeu” nga Presheva, ishte fitues nga cikli i gjimnazistëve. Dy ekipet finaliste të ciklit fillorist dhe ekipi fitues i gjimnazistëve, të shoqëruara nga arsimtarët udhëheqës të tyre, si dhe ekipi i RTV Presheva, siç edhe ishte paraparë, kryen ekskursionin e organizuar në Republikën e Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë, Krujë, Shkodër, Elbasan,... ku vizituan monumente të rëndësishme historike dhe kulturore. 

Pas suksesit të arritur në dy vitet e kaluara, projekti kuizi i diturisë “Lugina garon”, u vazhdua edhe në vitin 2014. Edhe këtë vit personi përgjegjës për përgatitjen e pyetjeve, organizimin e përgjithshëm si dhe menaxhimin dhe mbarëvajtjen e kuizit, ishte angazhuar autori dhe producenti i kuizit, Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva, të cilit do t’i ndihmonte edhe prof. Xhelal Arifi, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, ndërsa jurinë profesionale këtë vit do ta përbënin: prof. Xhelal Arifi, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, prof. Ali Latifi, arsimtar i lëndës së fizikës në shkollën fillore “Ali Bektashi” në Nasalcë dhe Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva.

Projekti kuizi “Lugina garon”, pas të arriturave që kishte bërë në dy vitet e kaluara, këtë vit ishte mbështetur financiarisht kryesisht nga donatorët si dhe nga buxheti i RTV Presheva. Pas përfundimit të garimit dolën edhe fituesit e këtij kuizi.

Ekipi i shkollës fillore “Abdulla Krashnica” nga Miratoca, ishte fitues nga cikli i filloristëve, ndërsa ekipi i gjimnazit “Sezai Surroi” nga Bujanoci, ishte fitues nga cikli i gjimnazistëve. Ekipet fituese të të dy cikleve, si dhe ekipi finalist (humbës) nga cikli fillorist, të shoqëruara nga arsimtarët udhëheqës të tyre, si dhe ekipi i RTV Presheva, siç edhe ishte paraparë, kryen ekskursionin e organizuar në Republikën e Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë, Krujë, Shkodër, Elbasan,... ku vizituan monumente të rëndësishme historike dhe kulturore.

Qëllimi i mbajtjes së këtij kuizi ka karakter social, shoqëror, edukues dhe arsimor. Me pjesëmarrjen e ekipeve të shkollave, të formuara nga nxënësit, gjatë edicioneve të kaluara, organizatorët dhe pjesëmarrësit, vlerësojnë se janë arritur edhe qëllimet kryesore: shoqërimi në mes vete, i nxënësve, krijimi i urave lidhëse në mes të nxënësve nga komunat në Luginë të Preshevës, rritja e nivelit të dijes tek nxënësit, paraqitja e nxënësve para publikut.

Të njëjtën, mëtojmë ta arrijmë edhe këtë vit               

Në kuadër të këtij cikli (të katërtit me radhë) është paraparë që pjesëmarrës të jenë ekipet garuese nga të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme, me mësim në gjuhën shqipe, në Luginë të Preshevës, duke shtuar se këtë vit në garim do të jenë edhe ekipi i shkollës fillore “Banja e Sijarinës” nga Medvegja.

Këtë vit, ekipet garuese do të garojnë me nga 6 (gjashtë) garues si dhe udhëheqësi i tyre. Nxënësit do të garojnë në pyetjet e përgjithshme, loja PO-JO, loja ZBULOJMË PERSONALITETIN, loja BASHKOJMË ÇIFTET, si dhe ASOCIACIONET. Fushat në të cilat nxënësit do të garojnë janë të ndara në: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë-informatikë, histori–gjeografi-edukatë fetare-psikologji–filozofi–sociologji, biologji–kimi–fizikë, art–kulturë–edukatë fizike (sport)–edukatë muzikore (muzikë)–film.

Me ndryshimin e disave nga rubrikat e mëhershme, këtë vit garimi do të jetë edhe më interesant. Jurinë profesionale edhe këtë vit do ta përbëjnë: prof. Xhelal Arifi, profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë, prof. Ali Latifi, arsimtar i lëndës së fizikës në shkollën fillore “Ali Bektashi” në Nasalcë dhe Zejnulla Dauti, gazetar-redaktor në RTV Presheva.      

Projekti kuizi i diturisë “Lugina garon”, sivjet do të nis me realizimin e tij nga 12 shkurti 2015, kur edhe do të transmetohet xhiro e parë e këtij sezoni. Këtë vit, të gjithë teleshikuesit e TV Presheva dhe TV Spektri, do të kenë mundësi që të ndjekin 18 xhiro të kuizit “Lugina garon 2015”, duke filluar nga dita e enjte, më 12.02.2015, çdo të hënë dhe të enjte, me fillim nga ora 21:00./Titulli.com/

 

Shqipe Jonuzi nga Presheva, artistja evropiane
LB: Pa Luginën bisedimet Kosovë "“ Serbi të mangëta
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration